Dorëshkrim | Home | Kritikët Blog | Lajme | Letërsi | Arkiva | Admin

Remzi Limani: Artisti me vlera të dëshmuara krijuese

Krijuesi ynë respektiv, Shefqet Emini, i cili tashmë vepron dhe jeton në Holandë - nuk është artist i rastit, por, në fakt, ai është një prej artistëve të kultivuar dhe të formuar si duhet, ngase, rrugëtimi i tij drejt botës së artit të vërtetë ishte një udhëtim studioz, i ngritur mbi themelet e mirëfillta dhe bazat e shëndosha për të krijuar një art të pranueshëm dhe të arrirë në të gjitha pikëpamjet.

Jo rastësisht, Shefqet Eminin e njoha viteve të tetëdhjeta, atëbotë kur ishte student i Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës. Që nga ajo kohë, krijuesi ynë, Emini, nga dashuria për të bukurën, me xhelozi prej artisti, ishte i pasionuar në fushën e pikturës, saktësisht në portretin figurativ; duke e fokusuar atë në plan të parë. Pra, formulimet figurative - studioze ndër më të ndryshmet në shumë fusha të arteve figurative deri te skulptura e në veçanti të portretit artistik, Shefqeti bëri shumë hapa për të arritur aty ku është sot.

Në fillim të karrierës së tij, ai e kultivonte portretin tradicional, ku vlerat artistike dhe figurative ishin në suazat dhe normat akademike. Mirëpo, krijuesi në fjalë, me punën e tij studioze dhe të pandërprerë - sikur donte të kalonte nëpër të gjitha fazat për të arritur deri tek mjeshtëria dhe përsosuria artistike në profesionin e tij. Në formulimet e tija paraprake në fushën e portretit, në telajo kryesisht dominonin imazhet e modeleve të përzgjedhura, të cilat në sfondin e pikturës inkorporoheshin me një prapavijë të rëndomtë. Në këtë kontekst, z. Emini, filloi të hulumtojë dhe materializojë edhe hapësirën e një tërësie figurative duke e begatuar sfondin e portreteve me gamën e të mbyllëtës së bashku me dritëhijet e shprehura me të cilat vepra e tij natyrshëm mori edhe një dimension duke u veshur me të duhurën artistike dhe vlerat e një qasjeje figurative Rembrantiane.

Pra, krijuesi ynë respektiv, Shefqet Emini, i cili tashmë vepron dhe jeton në Holandë - nuk është artist i rastit, por, në fakt, ai është një prej artistëve të kultivuar dhe të formuar si duhet, ngase, rrugëtimi i tij drejt botës së artit të vërtetë ishte një udhëtim studioz, i ngritur mbi themelet e mirëfillta dhe bazat e shëndosha për të krijuar një art të pranueshëm dhe të arrirë në të gjitha pikëpamjet... Pra, faza e tashme e krijimtarisë së tij, pa asnjë dyshim, me të drejtë mund të quhet krijimtari artistikisht e pjekur dhe e kultivuar si duhet. Portretet të cilat tani Shefqeti i krijon me pasion dhe mjeshtëri prej artisti, bëjnë pjesë në kultivimin dhe paraqitjen e imazheve nga të gjitha shtresat shoqërore, gjinitë dhe moshat e ndryshme. Nga këto shtjellime dhe studime figurative, ai nxjerr në pah momentin psikologjik dhe social të njeriut dhe kohës së tij - si element kryesor dhe i rëndësishëm për të zbuluar dhe prekur shpirtin e individit të paraqitur në veprat e tij. Tani, qasja e formulimeve artistike dhe studimet figurative të Shefqetit Emini janë të një niveli të lartë dhe përfaqësojnë një qasje bashkëkohore dhe të rafinuar në artin figurativ.

Koloriti i begatë, me nuancat e ndezura që nga e kuqja, e kaltra, e verdha, okeri por edhe e zeza dhe paleta e përpunuar e toneve të ngrohta, veprën e artistit e fuqizojnë dhe estetikisht e bëjnë të kapshme për mendjen dhe syrin e çdo individi. Së këndejmi, Shefqet Emini, me të njëjtën frymë i qaset edhe peizazhit dhe vizatimit ekspresiv duke e dëshmuar kontinuitetin e një gjuhe dhe shprehje figurative të një arti modern. Ai dhe veprat e tij në ekspozitat kolektive si dhe ato personale u prezantuan në shumë galeri të njohura gjithandej botës së qytetëruar. Ai ekspozoi në: Zvicër, Danimarkë, Austri, Norvegji, Gjermani, Itali, Angli, Spanjë, Portugali, Egjipt, Kinë, Turqi, Francë, Belgjikë, Rumani, Maqedoni, Kroaci, Bosnje, Kosovë dhe Shqipëri. Dhe, më në fund, duhet të themi se Shefqet Emini, tashmë është një artist i cili posedon dhe flet me gjuhën e tij figurative të një frymëzimi nga të gjitha ngjyrat dhe nga e kaluara e tij dhe koha kur u njohëm me të.

Biografia:

Shefqet Avdush Emini (1957), i lindur në Davidoc të Kosovës. Shkollën fillore dhe atë të mesmen i mbaroi në vendlindje. Më pas vijoi studimet në Akademinë e Arteve (Dega e pikturës) në Universitetin e Prishtinës. Pas mbarimit të studimeve, fillimisht punoi si arsimtar i artit figurativ në shkollën e mesme të qytetës, Shtime dhe më shkollën e mesme të qytetit Ferizaj. Tani dhjetë vite jeton dhe vepron në Holandë, duke u marrë aktivisht me artet figurative si artist i dëshmuar dhe i pranuar nga komuniteti artistik dhe publiku i gjerë artistik në Holandë. Gjatë kësaj kohe ka realizuar artin e luleve, ai pati një numër të konsiderueshëm të ekspozitave personale si dhe ato kolektive në shumë shtete dhe galeri të njohura botërore. Po ashtu, për veprën e tij krijuese, Shefqeti u shpërblye me çmime dhe mirënjohje nga asociacione të ndryshme kulturore dhe artistike nga vende të ndryshme.

Shefqet Emini, është anëtar në disa galeri, fondacioneve dhe asociacioneve artistike siç janë:

  • President i Fondacionit “Zef Kolombi” – Ferizaj
  • Anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës
  • AIDA, 1994
  • Foundation Art Centre, 2003
  • Foundation Symbiose Sittard, 2003
  • PKD, 2003

 

Remzi Limani

Artist:

Painter, Poet