Artistja FLUTURA MAÇI. Shefqet Avdush Eminin! Që nga emri godet fuqishëm
FLUTURA MAÇI
Pak herë e kam takuar artistin Shefqet Avdush Eminin! Që nga emri godet fuqishëm, sepse vlerëson atësinë, rrënjët...
Gjithsesi mjafton për të njohur një karakter artist të spikatur, me fuqi të madhe shprehëse...
Megjithëse jeton larg vendlindjes, ai e ndien thellë dashurinë për të. Kur isha për vizitë në fshatin Davidovc të Kosovës e postova disa foto në fb, ai më shkroi: “Paske qenë në fshatin tim të bukur!”
I bukur ishte vërtetë e sidomos me njerëz paqësorë e mikpritës.
Shefqeti është një nga karakteret burrërore e patriote që karakterizojnë Kosovën.
Tani që po hedh këto mbresa, po pij një kafe në një nga lokalet buzë liqenit artificial të Tiranës, kryeqyteti të Shqipërisë.
Në sfond dëgjohet grupi i mrekullueshëm ABBA nga Suedia.
Shefqeti është një interpretues i jashtëzakonshëm i ndjesive që përjeton gjatë procesit krijues. Një showman i vërtetë në spektaklin e artit figurativ!
Vepra e tij dallohet për fuqinë e madhe të ndjenjës së brendshme, vizatimin dinamik dhe koloritin e gjallë e plot guxim. Shefqeti ka marrë pjesë në shumë simpoziume të artit nëpër botë. Vepra e tij e veçantë me një tematikë lirike dhe epike, nderon gjithë muzetë e artit, galeritë e koleksionet private ku ndodhen.
Ndërsa Shefqeti vazhdon të punojë e kërkojë pa ndërprerje, sepse jeta dhe arti i tij janë shkrirë në një.
Gëzohem për arritjet e tua mik! Dhe librat që fiksojnë artin tënd paçin rrugën e mbarë!
FLUTURA MAÇI
FLUTURA MAÇI Piktore, Tiranë, Shqipëri
11 korrik 2020