NJE EMER DREJT MAJAT TE ARTIT PAMOR.

Njohja personale gjatë një vere shumë të nxehtë para disa vitesh në “Rings” në Prishtinë me Shefqet Avdush Eminin, i parapriu njohjes së mëtejshme të këtij personaliteti prej artisti e piktori të veçantë, të suksesshëm dhe shumë të njohur, që jeton dhe krijon në Holandë.

Pamja e tij pedante prej krijuesi, me një mjekër karakteristike dhe të bukur, lidhur me një tojë, të folurit e përqashëm dhe me kompetencë e elokuencë profesionale për artin e pikturimit linin mbresa në atë bisedë. Pikturat e tij në ekspozitat e shumta dhe të shpeshta në vende të ndryshme zinin vend në të gjitha mediat informative, gazeta, revista, si dhe në mediat online.

Qasja e Eminit ndaj artit mu bë e pashmangshme si një ritual i përhershëm. Ritual kënaqësie dhe estetike, që shijohet e përjetohet këndshëm e mahnitshëm.

Artin figurativ të këtij krijuesi e karakterizon intensiteti kreativ. Arsenali i veprave të tij është tejet voluminoz. Temat dhe motivet janë të shumta, në kohë dhe hapësirë universale. Me gjithë këtë universalizëm, arti i tij mban një fije fillese, e lindur diku në etninë dhe vendin nga vjen ky artist. Kjo fije sikur e mban lidhur këtë piktor me përkatësinë e vet kombëtare dhe atdhetare, jo si konservatorizëm dhe provincializëm, por si perspektivë, vizion dhe vlerë universale. E gjithë këtë e bën falë talentit, punës, njohurisë dhe mjeshtërisë së tij prej një krijuesi fenomenal. Piedestalin artistik ky piktor e ka arritur gjatë një zhvillimi gradual.

Empirikja e tij kreative kalon me sukses fazat dhe formacionet stilistike të pikturës dhe të artit figurativ në përgjithësi. Shefgeti është përfaqësues i denjë i rrjedhave stilistike të artit nëpër kohë. Nga realizmi, në kalim e sipër përmes nuancave të formave dhe rrymave të tjera kreative, ai hyn bindshëm dhe me shumë sukses në universin e impresionizmit ekspresiv, si formacion i poetikës aktuale në pikturë. Pikturën e këtij krijuesi e shquan unikja, përmes variacioneve të dendura dhe të ndryshme të ngjyrave. Gjatë pikturimit, peneli i tij është i mbushur me ngjyrë, ndaj arti i tij është intensiv. Koloriti i ngjyrave mbi pëlhurë ka një baraspeshë me një harmoni përmes kontrasteve të buta, që vijnë duke u theksuar më qartë te dy a tri ngjyra dominante. Ky artist shumësi e ngjyrave e derdh mbi pikturat e tij, të cilat janë peizazhe dhe portrete.

Peizazhet kanë prirje të abstraksionit, saqë të kujton titullin e librit poetik të Rr. Dedajt: “Gjërat që s’preken”. Arti piktoresk i Eminit është një sublimacion kontemplativ, që afron asociacione të shumta për shikuesin që ka sy dhe shije të arsimuar në këtë lëmë. Dendësitë figurative janë krijuar me mjeshtëri fine dhe mund të vërehen dhe zbërthehen ekskluzivisht nga recepienti kritik. Pra, semantika në pikturat e këtij autori është njëkohësisht semiotike.

Tematika në shumë piktura është referencë fiksioni, që përkon me postmodernizmin, metodë që sot përfshin të gjitha artet aktuale. Të gjithë këtë konglomerat elementesh artisti e sintetizon si esencë estetike me një durim, përkushtim e mjeshtëri prej një krijuesi të madh e që identifikohet me krijimet e veta. Siç thamë dhe më sipër, tek imazhet e pikturave të tij reflektojnë të gjitha ngjyrat e mundshme e që, nganjëherë, dominojnë e kuqja, e verdha, e zeza, por edhe e bardha dhe bluja. Këtyre ngjyrave dominuese ky artist u jep edhe nuanca të tjera, që koordinohen dhe harmonizohen bukur. Sfondi në këto piktura është gjithherë një dendësi ngjyrash, e thelbi metaforik bartet kryesisht në mesin e tij, jo si formë e dhënë qartë, por si një sinkronizim ngjyre me një kontrast të theksuar. Pra, në këto imazhe, mesi na del si embrion metaforik, drejt të cilit dendësohen ngjyrat, por gjithnjë duke i shërbyer asaj esenciale, siç është e bardha, që në disa raste na del shpend, si zog ose pëllumb.